
AGK-ja dënon mungesën e transparencës nga ZRRE-ja, mirëpret organizimin e gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) mirëpret organizimin dhe reagimin e gazetarëve të mediave të Kosovës për të kërkuar transparencë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Javën e kaluar, ZRRE-ja kishte ftuar vetëm gazetarët në një “takim konsultues”, pa praninë e kamerave dhe të mediave, për të diskutuar rreth rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike. Sot, gazetarët kanë refuzuar të marrin pjesë në takim pa praninë e kamerave. AGK-ja e përshëndet këtë veprim të gazetarëve, i cili përveçse shpreh solidaritet, mbi të gjitha kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga një institucion publik.
AGK-ja e fton ZRRE-në që të sigurojë publikimin dhe hapjen e të gjitha diskutimeve që çojnë në marrjen e një vendimi përfundimtar, në mënyrë që qytetarët të informohen në mënyrë të plotë për një vendim kaq të rëndësishëm për interesin publik.