
Faturat dhe transaksionet fiktive, të papranueshme nga ATK-ja
Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjitha bizneseve të cilat merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor, ATK-ja nuk i njeh transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset joaktive.
“Transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset joaktive, gjegjësisht shpenzimet në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe kërkesat për kreditim të zbritshëm në një deklaratë të TVSh-së, nuk do të njihen nga ATK-ja. Njëherësh, ATK-ja ju njofton se aktivitetet e saj do të përqendrohen te bizneset të cilat zhvillojnë transaksione fiktive dhe te bizneset joaktive që funksionojnë në mënyrë jo të rregullt, për të cilat do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor”, ka njoftuar ATK-ja.
Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjitha bizneseve, që para se të hyjnë në transaksione afariste, të bëjnë verifikimin e bizneseve joaktive të cilat i gjeni në ueb faqen:atk-ks.org. “Çdoherë kur ATK-ja gjatë verifikimit të dokumentacionit identifikon ndonjë transaksion/faturë fiktive, pavarësisht se a është biznesi që ka lidhur transaksionin/lëshuar faturën i publikuar në uebfaqe të ATK-së apo jo, ai transaksion / ajo faturë nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së shpenzimeve në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së TVSH-së së zbritshme. Po ashtu, për të dy bizneset, si për biznesin i cili e ka lëshuar faturën për transaksionin fiktiv, ashtu edhe për biznesin që e ka pranuar faturën për transaksionin fiktiv, ATK-ja do të ndërmarrë masat e përcaktuara me Legjislacionin në fuqi”, ka njoftuar ky institucion.
Sipas ATK-së, është detyrë e çdo tatimpaguesi t’i respektojë dhe t’i zbatojë dispozitat e legjislacionit tatimor të aplikueshëm.
“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore”, ka theksuar ATK-ja.