Prezantohet projekti “Lindja e fëmijës” me shërbime të digjitalizuara dhe të unifikuara për prindërit

Prezantohet projekti “Lindja e fëmijës” me shërbime të digjitalizuara dhe të unifikuara për prindërit

Sot, në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, u prezantua zyrtarisht pilotimi i projektit “Lindja e fëmijës”, që shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike, me fokus të veçantë në shëndetësi.

Ky projekt, i cili implementon modelin e shërbimeve të integruara ofron një qasje të re për qytetarët, duke unifikuar proceset e ofrimit të shërbimeve që lidhen me lindjen e fëmijës.

Me anë të kësaj platforme digjitale mbledhen të gjitha të dhënat në maternitet dhe dërgohen në mënyrë automatike te institucionet përkatëse, pa pasur nevojë që prindërit të aplikojnë në secilin institucion veç e veç për këto shërbime:

– Regjistrimi i lindjes në regjistrin civil
– Aplikimi për përfitimet financiare për nënën dhe fëmijën
– Regjistrimi në sistemin shëndetësor
– Regjistrimi i vaksinave
– Hapja e llogarive në eKosova për prindërit
– Njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi se kjo iniciativë hap një kapitull të ri në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike, më të koordinuara, më të thjeshta dhe më të afërta me qytetarin.

Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, vlerësoi se digjitalizimi i shëndetësisë është një nga prioritetet kyçe të reformës publike në vend. Ai theksoi rëndësinë e këtij pilotimi për krijimin e një sistemi më të thjeshtë dhe efikas, duke njoftuar gjithashtu se po finalizohet digjitalizimi i fletores së fëmijës përmes sistemit BHIS, e cila do të jetë pjesë e platformës eKosova.

Në këtë platformë është krijuar një seksion i veçantë, i dedikuar për lindjen e fëmijës, ku prindërit e rinj dhe ata që presin të bëhen prindër mund të gjejnë informacione për secilën fazë, nga para shtatzënia, shtatzënia, lindja e deri te zhvillimi i fëmijës, si dhe të përdorin kalendarin për të planifikuar dhe monitoruar aktivitetet para dhe pas lindjes së fëmijës.

Pilotimi do të filloj në komunën e Gjilanit dhe Ferizajt për t’u zgjeruar në të gjithë vendin.

Ky projekt është zhvilluar nga Njësia për Transformim Digjital (DTU) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë, në kuadër të projektit “Mbështetje për proceset e reformës integruese të BE-së në Kosovë”, i zbatuar nga GIZ.

Ministria e Shëndetësisë falënderon të gjithë akterët e përfshirë për kontributin dhe bashkëpunimin në këtë iniciativë, përfshirë: Agjencinë e Regjistrimit Civil, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme drejt një administrate më efikase, të digjitalizuar dhe në shërbim të qytetarëve.