
Kombëtarja e hendbollit fiton grantin ekipor 100 mijë dollarë nga KOK-u
Kombëtarja A e Kosovës në hendboll, konkurrenca e meshkujve, është përfituese e grantit ekipor rreth 100 mijë dollarë (rreth 92 mijë euro) të ndarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Bordi ekzekutiv i KOK-ut përzgjodhi ekipin kombëtar të hendbollit, bazuar në kriteret dhe rezultatet e fundit, të cilat e bëjnë kombëtaren me gjasat më të përafërta për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.
Granti ndahet nga KOK-u, ndërsa fondet janë të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe dedikohen për kombëtaren më të suksesshme.
Granti vlen për periudhën 2025 – 2028.
Djemtë e Kombëtares A janë në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2026, falë fitores ndaj Ukrainës dhe barazimit ndaj Holandës, në grupin 6 kualifikues. Në muajin maj luajnë me Ishujt Faroe në Prishtinë dhe Holandën në udhëtim.