
Ambasada Amerikane shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.
Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Thaçi, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, theksoi dhembjen e thellë për këtë humbje dhe shprehu mbështetjen e saj për familjarët e të ndjerit.
“Ne e kuptojmë humbjen e thellë për të gjithë ju dhe duam t’ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta gjatë kësaj kohe të vështirë. Uroj që të gjeni forcë dhe ngushëllim në kujtimet që keni ndarë dhe në mbështetjen e atyre që ju rrethojnë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.
Ish-presidentit Thaçi nuk i është lejuar pjesëmarrja në varrimin e të atit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Haxhi Thaçi u varros të martën në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga anembanë Kosova, por edhe përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut.
Telegrami i plotë i ngushëllimit:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Prishtinë, Kosovë
18 mars 2025
Familja Thaçi
Fshati Burojë, Komuna e Skenderajt
Republika e Kosovës
Për familjen e Haxhi Thaçit:
Në emër të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit. Ne e kuptojmë humbjen e thellë për të gjithë ju, dhe duam t’ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta gjatë kësaj kohe të vështirë.
Uroj që të gjeni forcë dhe ngushëllim në kujtimet që keni ndarë dhe në mbështetjen e atyre që ju rrethojnë. Ju lutemi, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta dhe dijeni se mendimet tona janë me ju dhe të dashurit tuaj.
Me respekt,
Anu Prattipati
E Ngarkuar me Punë