
Michael Roth dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave
Presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar Michael Roth, kryetar i komisionit për punë të jashtme në Bundestagun gjerman, me Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Si një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat tona në skenën ndërkombëtare, sonte në Berlin dekorova Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave – një simbol mirënjohjeje nga populli i Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka theksuar se suksesi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i fortë falë miqve që qëndrojnë pranë nesh – atyre që besojnë në demokraci, liri dhe në vendin tonë të merituar në familjen evropiane.
“Për mbrojtje të këtyre vlerave, Michael Roth, kryetar aktual i komisionit për punë të jashtme në Bundestagun gjerman e ish ministër, punoi përgjate 27 viteve të angazhimit të tij politik. Faleminderit, z. Roth, për përkushtimin tuaj të palodhur në afrimin e dy vendeve tona dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Osmani.