Përplasje për importin e produkteve serbe, deputetë të opozitës lëshojnë mbledhjen e Komisionit

Gjatë raportimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin për Ekonomi pati përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës për importet e mallrave nga Serbia. Këta të fundit madje lëshuan sallën.

Gjatë diskutimit të Ligjit për tregti me jashtë, përplasja ndodhi për shkak të deklaratës së deputetit nga AAK, Pal Lekaj, i cili akuzoi mazhorancën se ka ‘lulëzim’ të importit në Kosovë nga Serbia.

“Mendova a thua me ty ka filluar bota e tregtisë a po ka filluar bota e tregtisë së jashtme. Nuk mund të lavdëroheni, sa i përket eksportit, sepse nëse krahasojmë me vitin 2023 deficiti tregtar është 3.1 për qind edhe atë në gusht.

Nëse e shohim edhe eksportin në gusht të këtij viti, e ke një distancë tepër të madhe sa i përket importit…Nuk e di se si Kosova mund të zhvillohet…Mund të krenoheni me lulëzimin e importit nga Beogradi, shifrat kështu tregojnë”, tha Lekaj.

Për këtë deklaratë pati reagime nga deputetët e partisë në pushtet.

Deputeti nga LVV, Driton Hyseni ka akuzuar Lekajn për dezinformim të publikut, derisa ka kundërshtuar deklaratën e tij, ai tha se importi me Serbinë nga 25 për qind ka shënuar rënie në 6 për qind me Qeverinë Kurti.

“Po të informoj që në pjesën e mallit të viteve para se Qeveria VV të vijë në udhëheqjen e Qeverisë, një përqindje e importeve të Serbisë e kemi pasur në nivelin 25 për qind e afër 30 për qind me raste…Prej 25 për qind, niveli i importeve të Serbisë ka arrit në 6 për qind dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk mundesh një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës t’i japësh kaq shumë… importeve të Serbisë se gjoja qenkan duke u rrit përderisa ato janë zvogëluar”, tha Hyseni.

Po ashtu, kritika për këtë deklaratë pati edhe shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e cila kërkoi nga deputeti Lekaj që të kërkoj falje dhe t’i shikojë statistikat e ASK-së.

“Statistikat e ASK-së, deputeti Pal Lekaj jo vetëm që është duke i keqinterpretuar, është duke abuzuar me fjalën e lirë. Nëse din të lexosh shqip, ASK në faqen zyrtare ka informacionet në gusht për vitin 2023…

Ule zërin e dëgjo, pse po fol për Serbinë, pse po e sjellë në tavolinë, pse po dezinformon, 1.3 për qind ka ra me Serbinë…Duhet të të vijë turp, e të kërkosh falje publikisht para gjithë këtyre njerëzve që dezinformon”, ka reaguar Kusari-Lila.

Për këtë, ministrja Rozeta Hajdari është shprehur e befasuar me zërin e lartë të deputetit Lekaj.

“Unë po befasohem me zërin e lartë të deputetit Lekaj”, tha Hajdari.

Ndërsa, deputetja e LDK Valentina Bunjaku – Rexhepi, kërkojë që ministrja Hajdari të përgjigjet në pyetje konkrete e të mos komentoj zërat e deputetëve.

“A jeni normal. Ministrja s’ka nevojë me na tregu çfarë zëri kemi. Ministrja nuk ka të drejtë këtë qasje, ja të edukohet, ja lë të përgjigjet ne pyetjet konkrete”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti nga PDK, Ferat Shala ka adresuar disa pyetje karshi ministres Hajdari për strategjinë për hulumtim dhe zhvillim. I njëjti ka kërkuar të dijë edhe për ekspertin që ka marr 1 mijë euro në ditë për hartimin e kësaj strategjie.

“A kemi strategji për hulumtimin, zhvillimin e industrisë dhe mbështetje të bizneseve, kur është miratuar dhe nga kush…Kush kanë qenë autorët e jashtëm të kësaj strategjie dhe sa ka kushtuar hartimi i kësaj nga ministria juaj?…Kush është ky ekspert që në Kosovë ka marr 1 mijë euro në ditë për hartimin e strategjisë…”, ka pyetur Shala.

Për këtë Hajdari tha se nuk mban mend emrin e ekspertit.

“Strategjia për zhvillimin industrial dhe mbështetjen e bizneseve është rezultat i një viti punë të Grupit punues nga MINT me anëtar ndërinstitucional të shteteve tjera, me ekspertizë të jashtme. Kjo strategji që është politikë e parë industriale synon që Kosova deri në vitin 2030 të jetë e integruar globalisht përmes mundësisë që bizneset tona të jenë ta afta të prodhojë produkte me vlerë të lartë dhe konsum të denjë…

Krahasuar me planet e mëhershme që janë zhvilluar prej qeverive ku ka kushtuar një plan për Kosovën 2 milionë euro, me këtë strategji janë shpenzuar 100 mijë euro për një grup të ekspertëve nga inkubatori i hartimit të politikave në Berlin…Nuk janë shumë 20 mijë euro për 20 ditë. Për një politikë industriale, për të shpalosur potencialin e Kosovës ne kemi pasur mundësi që të investojmë 100 mijë euro. Nuk e mbaj mend as emrin e eksperteve”, tha ajo.

 

 

TAGS