
Një delegacion i pjesëmarrësve të Kursit të Lartë për Siguri dhe Mbrojtje nga Shqipëria viziton Kosovën
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka mirëpritur të enjten se pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Siguri dhe Mbrojtje të organizuar nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë së Shqipërisë.
Ai i uroi mirëseardhje delegacionit, duke e vlerësuar vizitën e tyre si një moment të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit, zëvendësministri Syla i informoi pjesëmarrësit për progresin dhe sfidat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë zbatimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së.
Ai gjithashtu ndau mendimet e tij mbi situatën e sigurisë në nivel lokal, rajonal dhe global.
Në vijim, komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjeneral brigade Ylli Pulaj, shprehu falënderime për mikpritjen dhe vuri në dukje përfshirjen e gjerë në kurs, duke përfshirë pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, dhe vende të tjera partnere si Gjermania, Rumania, Bullgaria, Turqia, Greqia, Gjeorgjia dhe Italia. Gjeneral Pulaj theksoi qëllimin e këtij kursi si përmirësimi i aftësive dhe cilësive të personelit civil dhe ushtarak përmes shkëmbimit të përvojave me vendet partnere të NATO-s.
Zëvendësministri Syla vlerësoi lartë përfshirjen e Kosovës në këtë kurs, duke e konsideruar si një dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve partnere.
Ai përshëndeti fokusin shkencor dhe strategjik të vizitës, i cili përfshiu trajtimin e aspekteve historike dhe ushtarake të betejave të UÇK-së, me një theks të veçantë në Betejën e Koshares, si një moment historik në luftën për liri.
Zëvendësministri Syla shprehu angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e përgatitur atë si një ushtri moderne dhe e përkushtuar për garantimin e sigurisë rajonale dhe globale.
Në kuadër të këtij takimi, shef i J5J8 të FSK-së, kolonel Haki Hoti, bëri një prezantim të përgjithshëm mbi të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe objektivat për ardhmen.