Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kaluar me shumicë dërrmuese votash një Projektligj për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të enjten, një synim i kamotshëm rreth 12-vjeçar për ta sjellë një sigurim mungesa e të cilit besohet se i ka dëmtuar shumë qytetarë të vendit.
Projektligji u miratua në lexim të dytë me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, dhe do të bëhet ligj sapo të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Ai ishte miratuar në parim para rreth dy javëve dhe është mbështetur vazhdimisht edhe nga opozita, e cila, megjithatë, ka kërkuar më shumë sqarime nga Qeveria dhe një datë se kur do të fillojnë të zbohen sigurimet shëndetësore për qytetarët.
Projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme, përmes një fondi të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
Projektligji përfshin të gjithë popullatën e vendit, synon ofrimin e qasjes universale në shërbime themelore shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

