Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mbajti sot konferencë për media, në të cilën prezantoi rezultatet e auditimeve të realizuara në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2025/2026, duke vënë në pah gjetjet kryesore, opinionet e auditimit dhe prioritetet e auditimit për periudhën në vijim.
Auditorja e Përgjithshme tha se nga 145 auditime të planifikuara, deri më tani janë publikuar 102 raporte prej të cilave 94 raporte të auditimit të rregullsisë (financiar dhe pajtueshmërisë), prej tyre: 14 raporte për Ministritë, 37 raporte për Komuna, 31 raporte për IP (përfshirë Kuvendin e Kosovës, ZKM, ZP dhe ShSKUK), Raporti për RTK-në, 9 raporte për Ndërmarrje Publike si dhe 2 auditime të veqanta: për pasqyra të veçanta të KEK-ut për nevojat e ZRRE-së dhe KPMM-së). Sa i përket raporteve për auditimet e performancës, deri më janë publikuar 7 raporte.
Spanca theksoi se në 94 raporte të publikuara të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për pasqyrat vjetore financiare, deri më tani, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara (9 Ministri, 33 komuna, 8 Institucione të pavarura dhe 5 NP), 4 opinione të kundërta (NP) dhe 35 opinione të pamodifikuara: (4 Komuna: MV, Junik, Ranillug dhe Shtërpca; 5 Ministri: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, MPJD, MSH dhe MFPT; 24 Institucione të Pavarura dhe 2 auditime të veçanta).
Për 9 ndërmarrje publike, janë dhënë 4 opinione të kundërta; (KRU-Hidrodrini Sh.a, KRM-Uniteti Sh.a, KRM-Pastertia Sh.a, dhe Stacionit të Autobusëve Sh.a) dhe 5 opinione të kualifikuara (KOSTT-Sh.a, KEK, KRU-Prishtina Sh.a, NPH Iber Lepenci Sh.a dhe Termokos Sh.a).
Ndërsa për dy auditimet e veçanta të KEK-ut, janë dhënë opinione të pamodifikuara.
Sa i përket konkluzioneve të auditimit për pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret janë dhënë: 31 konkluzione të pamodifikuara, 58 të modifikuara dhe 3 konkluzione të kundërta (KRM Pastërtia Sh.A dhe Stacioni i Autobusave Sh.A dhe Komuna e Prishtinës), tha Spanca.
Për shkak të interesit publik dhe çështjeve të identifikuara, Auditorja e Përgjithshme bëri të ditur se auditimi i Komunës së Prishtinës rezultoi me opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe me konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë, si pasojë e mangësive të identifikuara në menaxhimin financiar, proceset e prokurimit, menaxhimin e pronës komunale dhe realizimin e projekteve kapitale.
Auditimi ka rezultuar me 25 rekomandime, nga të cilat 14 janë të përsëritura, tri janë pjesërisht të zbatuara, ndërsa tetë janë rekomandime të reja.
Auditorja e Përgjithshme njoftoi gjithashtu se raporti i auditimit të performancës “Monitorimi, mirëmbajtja dhe siguria e digave në Kosovë” është klasifikuar me nivelin “I Kufizuar” dhe për këtë arsye nuk do të publikohet. Vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rekomandimet e institucioneve kompetente të sigurisë, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe interesit publik.
Në vazhdim të konferencës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi gjetjet kryesore të tri auditimeve të performancës që publikohen sot, të cilat trajtojnë efektivitetin e shërbimeve të ngrohjes qendrore në Termokos, administrimin e pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) dhe sistemin elektronik për menaxhimin e studentëve.
Në mbyllje të konferencës, Auditorja e Përgjithshme u bëri thirrje zyrtarëve përgjegjës që të trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditimit dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për adresimin e tyre, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Zonja Spanca theksoi se ZKA mbetet e përkushtuar në ofrimin e vlerësimeve të pavarura dhe profesionale mbi menaxhimin e financave publike, me qëllim rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik.
Fjala e plotë nga konferenca për media: https://zka-rks.org/cms/DocumentFiles/26_06_2026_Fjala_nga_konferenca_per_media.pdf

