
Protestë në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Dhjetëra persona kanë protestuar në Prishtinë të shtunën në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kërkuar më shumë të drejta, barazi dhe drejtësi për gratë.
Ata marshuan në mesditë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet, me moton “Marshojmë për njëra-tjetrën”.
Gjatë marshit, i cili u organizua nga kolektivi “Marshojmë S’festojmë”, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si, “Sot marshojmë, çdo ditë luftojmë”, “Pagë të barabartë, për punë të barabartë”, dhe “Grua, jetë, liri”.
Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfidat e punës, kontesteve pronësore, si dhe dhunës në familje.
Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Të dhënat tregojnë se burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.
Gjithashtu, burrat trashëgojnë prona dhe pasuri nga familjet e tyre, që ua lehtësojnë investimin për të shtuar pasurinë më vonë.
Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohet nga gratë.