Trump kritikon sërish Zelenskyn teksa Evropa synon rritje shpenzimesh për mbrojtje

Trump kritikon sërish Zelenskyn teksa Evropa synon rritje shpenzimesh për mbrojtje

Shtetet e Bashkuara e kanë rritur presionin ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky që të veprojë në linjë me synimet e Uashingtonit për të çuar përpara një marrëveshje që i jep fund luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, liderët evropianë po përpiqen të marrin rol më të madh në bisedimet për paqe, pas një takimi katastrofal të Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, ditë më parë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.

“Kjo është deklarata më e keqe që do të mund të bëhej nga Zelensky, dhe Amerika nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke vendosur aty edhe një link që të çon te një artikull i të përditshmes amerikane, Associated Press në të cilin citohet Zelensky duke thënë se përfundimi i luftës në vendin e tij është “shumë, shumë larg”, raporton Rel.

Në postimin e 3 marsit, Trump ka sugjeruar se përmirësimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë, siç e kanë këshilluar liderët evropianë, Zelenskyn, do të jetë detyrë e vështirë.

“Kjo është ajo që kam thënë, ky njeri nuk dëshiron të ketë paqe, për aq kohë sa e ka mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Trump.