Ademi e refuzon publikisht kandidaturën e Batatinës

Ademi e refuzon publikisht kandidaturën e Batatinës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se asnjë trajner shqiptar nuk është në garë për të marrë drejtimin e kombëtares së Kosovës në futboll.

Kreu i FFK-së e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që një trajner shqiptar të jetë selektori i ri i kombëtares, në një deklarim për media të dielën.

Në një intervistë për televizionin ATV, Ademi tha se FFK-ja ka krijuar tri lista, varësisht prej profilit të trajnerëve dhe se në këto lista nuk ndodhet asnjë trajner shqiptar.

“I kemi tri lista, A, B dhe C. Në listën A janë disa, duke përfshirë edhe Morenon që ka qenë. Në listën A janë 5 veta me Morenon, tani janë 4.  Nëse me këta nuk mund të mirremi vesh, kalojmë në listën B. Nëse as ajo nuk funksionon, sigurisht që edhe lista C ka emra të mirë. Fatkeqësisht nuk ka asnjë trajner shqiptar. Nuk kemi kohë për prova. Në listë ka gjermanë, austriakë, holandezë dhe argjentinas”, tha Ademi për ATV.

Deklarimi i Ademit është një përgjigje definitive për Tahir Batatinën, trajnerin e vetëm shqiptar që publikisht u vetofrua për të marrë drejtimin e kombëtares.

Batatina, disa javë më parë është shprehur i gatshëm që ta marrë drejtimin e Kosovës me premtimin që do ta kualifikojë atë në Kampionatin Botëror.

Ai e ka shpallur publikisht kandidaturën e tij.

“Jam i gatshëm ta marrë kombëtaren nga ky moment. Dhe, në moment që do ta kualifikojë Kosovën në Kampionat Evropian ose Botëror, do të them urdhëroni kë të doni sjelleni. Por, para se ta kualifikojë, dua të them diçka: duhet kjartë ta dinë njerëzit se Batatina shkon me stafin e vet profesional në kombëtare. Batatina, do me stafin e tij të jetë në kombëtare, me ata njerëz të cilëve iu beson”, ka thënë Batatina në një paraqitje mediale në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Ai ka vendosur edhe kushte. Ka thënë se duhet t’i lihen duart e lira në mënyrë që të marrë vendime, por edhe përgjegjësi.