Gjilani triumfon në Suharekë, Feronikeli 74 mposht Dukagjinin me gol të minutave shtesë

Gjilani triumfon në Suharekë, Feronikeli 74 mposht Dukagjinin me gol të minutave shtesë

Dy ndeshjet e para të javës së 22-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll sollën emocione të forta, por edhe befasi.

Gjilani shënoi fitore të rëndësishme ndaj Suharekës si mysafir, ndërsa Feronikeli 74 shokoi Dukagjinin me një gol të minutës së 97-të në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë, Gjilani siguroi tri pikë të rëndësishme, duke mposhtur vendasit 2:1. Senad Jaroviq hapi rezultatin nga pika e bardhë në minutën e 42-të, por Endrit Krasniqi barazoi shifrat në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Megjithatë, për fitoren e gjilanasve u përkujdes Edi Basha, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 54-t. Kjo fitore e ngjit Gjilanin në vendin e katërt me 31 pikë, duke rritur presionin ndaj Prishtinës, e cila tani ka dy pikë më pak, por një ndeshje më pak të luajtur.

Ndërkaq, Suhareka e cila vazhdon serinë e dobët, duke pësuar humbjen e katërt radhazi në të gjitha garat, mbetet në vendin e gjashtë me 26 pikë.

Në një tjetër ndeshje dramatike, Feronikeli 74 arriti një fitore befasuese ndaj Dukagjinit me rezultatin 1:0. Goli i fitores erdhi në minutën e 97-të, kur Leart Zekolli shënoi pas një asistimi të bukur nga Lis Demiri.

Kjo fitore ishte e para pas katër ndeshjeve për ekipin nga Drenasi, i cili kishte pësuar humbje nga Ferizaj, Prishtina e Re në kupë, Llapi dhe në fund Ballkani (këtë të fundit me rezultat zyrtar).

Pavarësisht fitores, Feronikeli 74 mbetet në fund të tabelës me 14 pikë, ndërsa Dukagjini në vendin e tetë me 25 pikë.