Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ademi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e sportit, me theks të veçantë te përballjet e ardhshme mes dy kombëtareve.
Sipas tij, pjesë e bisedimeve ishin ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Austrisë do t’i zhvillojnë në kuadër të UEFA Nations League gjatë muajve shtator dhe tetor.
Gjithashtu, u diskutua edhe për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027.
Postimi i Ademit:
🇽🇰🤝🇦🇹
Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Federatën e Futbollit të Kosovës Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, në një takim miqësor dhe shumë konstruktiv.
Gjatë takimit biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona në fushën e sportit, me fokus të veçantë në përballjet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Në qendër të diskutimeve ishin ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Austrisë në kuadër të UEFA Nations League, të cilat do të zhvillohen gjatë muajve shtator dhe tetor, si dhe për ndeshjet e rëndësishme të Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në muajin tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027.
Në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, u dakorduam që të organizojmë aktivitete të përbashkëta promovuese për këto ndeshje, me synim afrimin e tifozëve me ekipet kombëtare dhe krijimin e një atmosfere sa më të veçantë sportive.
Ky takim rikonfirmoi edhe një herë raportet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe gatishmërinë tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin në projekte të reja që i shërbejnë zhvillimit të sportit dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona.
#mefutbollinpërkosovën

