
Rasti i “53-milionëshit”, Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve
Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku), për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërsa, sipas Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale është e paobjekt.