
Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit të RS-së
Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, duke nisur nga dita kur hyn në fuqi vendimi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.
Të dy janë akuzuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet, raporton Rel.
Pas marrjes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të tubuar para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banjallukë, se “nuk ka arsye për shqetësim”.
“Më dënuan me një vit në burgun e tyre. Thonë se jam fajtor. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Unë jam mësuar të përballem edhe me gjëra më të vështira, prandaj do ta përballojmë edhe këtë”, ka thënë Dodik.
Ky është procesi i parë gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë për veprën penale të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.