Mbahet takimi me trajnerët e regjioneve të programit ‘Elite Youth’ 

Mbahet takimi me trajnerët e regjioneve të programit ‘Elite Youth’ 

Sot në Federatën e Futbollit të Kosovës, u mbajt takimi me trajnerët e regjioneve të programit Elite Youth Development U15, ku u diskutuan çështjet kyçe që lidhen me zhvillimin dhe përmirësimin e strukturës së punës me talentët e rinj.

Në këtë takim, ndër të tjera, u prezantua një analizë e detajuar e punës së bërë në vitin e kaluar, duke përfshirë progresin e lojtarëve, sfidat dhe sukseset e arritura në nivel rajonal.

Përzgjedhësi i Kombëtares U-15 dhe përgjegjësi i këtij programi, Ilir Nallbani, ndau materialet, përvojat dhe njohuritë e fituara nga pjesëmarrja në punëtorinë Elite Youth Development në Lituani, si një platformë e rëndësishme me fokus në praktikat më të mira për zhvillimin e të rinjve.

Trajnerët e Elite Youth nga 7 regjionet e FFK-së diskutuan edhe mbi rëndësinë e unifikimit të metodave të stërvitjes dhe formacionit taktik midis regjioneve dhe Kombëtares U-15, duke synuar një qasje të përbashkët për zhvillimin e lojtarëve.

Gjithashtu, u caktua data e fillimit të procesit stërvitor për këtë grupmoshë, duke u koordinuar të gjitha detajet organizative.

Ky takim shërbeu edhe si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të strukturës së futbollit të të rinjve dhe rritjes së cilësisë së punës me talentet e reja në vend.