
ATK realizon trajnim për noterët e rinj
Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Odën e Noterëve të Republikës së Kosovës, ka organizuar një trajnim të dedikuar për noterët e rinj, me qëllim të ngritjes së njohurive të tyre mbi detyrimet tatimore dhe rolin e noterëve në përmbushjen e tyre.
Tema e trajnimit ishte: Legjislacioni Tatimor i Kosovës.
Trajnimi, i cili u zhvillua më datë 22 shkurt 2025, përfshiu temat kryesore lidhur me legjislacionin tatimor, procesin e deklarimit dhe pagesës së tatimeve, si dhe përgjegjësitë ligjore të noterëve në raport me ATK-në. Ky trajnim ishte fokusuar në kriteret e përmbushjes së detyrimeve tatimore, si: Regjistrimi, Dokumentimi, Deklarimi dhe Pagesa.
Ligjërues i këtij trajnimi ishte z. Sami Salihu, U.d. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i ATK-së, i cili në hapje të trajnimit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në mes të noterëve dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke theksuar se një qasje e drejtë dhe profesionale ndaj detyrimeve tatimore ndihmon në forcimin e sistemit fiskal dhe rritjen e transparencës.
Gjatë sesionit interaktiv, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë raste praktike dhe të marrin përgjigje direkte nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ATK-së lidhur me çështjet tatimore që prekin aktivitetin e tyre profesional, si dhe përgjigje për pyetje të tjera në lidhje me Legjislacionin Tatimor.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në edukimin dhe informimin e të gjithë profesionistëve të cilët kanë rol kyç në respektimin e obligimeve tatimore, duke vazhduar me organizimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në të ardhmen.