
Ferizaj rikthehet te fitorja, barazim pa gola mes Dukagjinit dhe Gjilanit
Dy ndeshjet e fundit të javës së 21-të në AlbiMall Superligën e Kosovës sollën një fitore të rëndësishme për skuadrën e Ferizajt, e cila triumfoi minimalisht ndaj Prishtinës, si dhe një barazim pa gola mes Dukagjinit dhe Gjilanit.
Ferizaj ka arritur të rikthehet te fitorja në kampionat, pasi në xhiron e kaluar u mposht nga Malisheva. Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në stadiumin e saj, skuadra ferizajase mposhti Prishtinën me rezultat 1:0.
Golin e vetëm dhe të fitores për Ferizajn e realizoi Albion Kurtaj në minutën e 12-të të takimit. Prishtina e pati të vështirë të rikthehet në rezultat, pasi që nga minuta e katërt mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi mbrojtësi Leonat Vitija u ndëshkua me karton të kuq.
Me këtë fitore, Ferizaj arrin në kuotën e 26 pikëve dhe renditet në vendin e shtatë, ndërsa Prishtina ka tri pikë më shumë dhe pozicionohet në vendin e katërt.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e zhvilluar të dielën mes Dukagjinit dhe Gjilanit përfundoi pa gola. Të dyja skuadrat krijuan disa raste të mira shënimi, por nuk arritën t’i konkretizojnë ato, duke ndarë pikët.
Për Gjilanin, ky ishte rezultati i tretë radhazi pa humbje në Superligë, pas dy fitoreve të mëparshme. Aktualisht, Gjilani mban pozitën e pestë në tabelë me 28 pikë. Në anën tjetër, Dukagjini regjistroi ndeshjen e dytë rresht pa disfatë dhe me 25 pikë renditet në vendin e tetë.