
Berisha nga “Vatra”: Qeveria e re e Kosovës të jetë shumë më e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA-në
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha thotë se qeveria e re e pritshme në Prishtinë, që do të dalë pas zgjedhjeve të fundit, duhet të tregojë kujdes në marrëdhëniet me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Berisha theksoi se nuk pret ndryshim të qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, por u bëri thirrje zyrtarëve të të dyja vendeve të angazhohen për të përmbushur detyrimet e tyre.
Për Kosovën kjo do të thotë krijimi sa më i shpejtë i një qeverie të re të qëndrueshme dhe të gatshme të përballet me sfidat përpara saj. Ai nënvizoi edhe nevojën për bashkërendim të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare me komunitetin shqiptaro-amerikan për lobim në emër të tyre në Uashington.
Duke folur për administratën e Presidentit Trump, Berisha u shpreh se ajo do të jetë më e fuqishme, më e organizuar dhe me qëndrime të rrepta ndaj vendeve ku ekzistojnë konflikte.
“Kjo administratë është pak më e veçantë. Ka patur edhe një administratë më të hershme të Presidentit Trump, por mendoj se kjo do të jetë më konçize, më e fuqishme, shumë më e organizuar, më e detajuar, por që do t’i ketë qëndrimet e veta më të rrepta ndaj vendeve ku mund të ketë konflikte dhe ka gjëra të cilat duhet të bisedohen dhe përfundohen në bisedime paqësore. Këtu vjen edhe Kosova dhe qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm”, deklaroi Berisha.