KQZ: Janë edhe mbi 14 mijë pako me fletëvotime të votave jashtë Kosovës për t’u verifikuar

KQZ: Janë edhe mbi 14 mijë pako me fletëvotime të votave jashtë Kosovës për t’u verifikuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke u bërë vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Klankosova.tv ka pohuar se nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 21 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140 ndërkaq janë refuzuar 3,269.

“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, ka thënë Elezi.

Ndër tjera, ai ka theksuar se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14,306 pako me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara”.

“Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, ka shtuar Elezi.

Elezi ka thënë se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota.

Ndër tjera, ai ka shtuar se KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë. /Klankosova.tv