
Emisari amerikan përmbyll vizitën “intensive” në Kiev
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën tha se ka zhvilluar diskutime “të gjata dhe pozitive” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa Shtëpia e Bardhë po synon të arrijë një marrëveshje me Kievin për të pasur qasje në mineralet kritike të vendit në këmbim të ndihmës amerikane.
“Një ditë e gjatë dhe intensive me udhëheqjen e lartë të Ukrainës”, shkroi Keith Kellogg më 21 shkurt në X.
Këto ishin deklaratat e tij të para lidhur me takimin që zhvilloi me Zelenskyn, pasi gazetarët u mblodhën më 20 shkurt për një konferencë për media, e cila u anulua në minutat e fundit.
Kellogg e quajti presidentin ukrainas “udhëheqës të guximshëm të një shteti në luftë”, teksa Zelensky tha se takimi “kthen shpresën” pas një mosmarrëveshjeje publike mes Kievit dhe Uashingtonit, me Trumpin që e quajti presidentin ukrainas një “diktator pa zgjedhje” dhe Zelenskyn që tha se presidenti amerikan po i bën jehonë propagandës ruse.
Komentet vijnë në ditën finale të vizitës disaditore të Kelloggut në Ukrainë dhe vetëm disa ditë pasi SHBA-ja dhe Rusia mbajtën bisedime në Arabinë Saudite lidhur me përfundimin e luftës trevjeçare në Ukrainë. /Rel