Apeli e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm të Themelores për Dardan Krivaqën

Apeli e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm të Themelores për Dardan Krivaqën

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj të 26 shtatorit të vitit 2024 për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqës, dhe dënimin me 15-vjet burgim për Arbër Sejdiun për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në njoftimin e Apelit thuhet se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024.

“Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se pretendimet ankimore të prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk qëndrojnë, e gjithashtu nuk ka shkelje tjera të dispozitave të procedurës nga neni 384 të KPPRK, për të cilat shkelje kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e këtij aktgjykimi”.

“Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, shtohet se sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në raport me pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit D.K., duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 41 paragrafi 1 dhe 2, sepse e ka pasur të ndaluar dhe të pamundshëm shqiptimin e dënimit të përjetshëm, kolegji gjykues vlerëson se ky pretendim nuk qëndron, ngase dispozita e nenit 41 të KPRK nuk e përjashton mundësinë e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale, por nuk parashihet si i vetmi dënim kryesor për një vepër penale, andaj në rastin konkret, vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese të të akuzuarit, japin bazë të mjaftueshme në arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për të akuzuarin D.K.