
Gjilani mposht kampionin në fund të ndeshjes, Llapi rikthehet te fitorja
Dy ndeshjet e së dielës në kuadër të javës së 20-të në AlbiMall Superligën e Kosovës kanë dhuruar emocione të mëdha, ku Gjilani dhe Llapi kanë shënuar fitore të rëndësishme.
Gjilani ka triumfuar para tifozëve të vet me rezultat 2:1 ndaj kampionit në fuqi, Ballkanit, falë dy golave të sulmuesit boshnjak, Senad Jaroviq.
Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 41-të me golin e Bleart Tolajt, por Gjilani reagoi fuqishëm në pjesën e dytë.
Jaroviq fillimisht barazoi shifrat në minutën e 64-t, ndërsa golin e fitores e realizoi në minutën e 94-t, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore të madhe pas një periudhe të gjatë pa triumf ndaj Ballkanit.
Me këtë fitore, Gjilani është ngritur në vendin e pestë me 27 pikë, ndërkohë që Ballkani mbetet në garën për titull, duke qenë në vendin e dytë me 36 pikë, tetë më pak se liderja Drita.
Në ndeshjen tjetër, Llapi i ka dhënë fund serisë prej 12 ndeshjeve pa fitore në Superligë, duke mposhtur në udhëtim Feronikelin 74, me rezultat bindës 3:0.
Valmir Veliu ishte protagonist kryesor i ndeshjes, duke realizuar dy gola, në minutat 10 dhe 66, ndërsa një autogol i Armend Halilit në minutën e 60-të e vulosi rezultatin përfundimtar.
Pavarësisht fitores, Llapi mbetet në pozitën e parafundit me 21 pikë, ndërsa Feronikeli 74 vazhdon të mbajë vendin e fundit me 10 pikë.
Ndeshja e fundit e javës së 20-të zhvillohet të martën, ku takohen Malisheva dhe Ferizaj.