
Pulla postare 80-vjetori i gazetës “Rilindja”
Posta e Kosovës në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”, në qarkullim postar vë emisionin e ri të pullave postare.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky emision i pullës postare rendit kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe gjithë punonjësve të medies së parë të shkruar në Kosovë “Rilindja”, që nga botimi i numrit të parë të gazetës, më 12 shkurt 1945.
“Botimi i numrit të parë të gazetës kërkonte shumë përkushtim dhe punë, megjithatë falë angazhimit të madh të punonjësve, u arrit që shkronjat e gjuhës shqipe të punoheshin manualisht, në mënyrë që gazeta “Rilindja” të ishte në duar të lexuesve nga 12 shkurti i vitit 1945”.
“Kontributi i gazetës ‘Rilindja’ nuk kufizohet vetëm në fushën e informacionit, pasi që nga viti 1946, bëhet bartëse e aksioneve të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe të fushatave për arsimimin e gruas. Me bartjen e shtypshkronjës në Prishtinë në vitin 1958, rritet edhe numri i botimeve, kur gradualisht “Rilindja” shndërrohet në gazetë ditore”, thuhet në njoftim.