Dyshime për keqpërdorim të votave nga diaspora, prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishajt

Dyshime për keqpërdorim të votave nga diaspora, prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishajt

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën e Kosovës atje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet synojnë të vlerësojnë nëse ka elemente të ndonjë vepre penale të ndërlidhur me procesin zgjedhor, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të zgjedhjeve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e procesit zgjedhor.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka bërë të ditur se do të vlerësojë nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare është bërë në përputhje me aktet nënligjore.