Raporti i OJQ-ve: 16 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive

Raporti i OJQ-ve: 16 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive

Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë aktakuza aktive, u tha në një raport të organizatave joqeveritare të prezantuar të enjten.

Gjatë prezantimit të raportit “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, u tha se në listat e tyre zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sipas Burbuqe Kastratit, hulumtuese në Lëvizjen FOL, këto parti së bashku kanë 23 persona që kanë probleme me ligjin. Kjo, sipas saj, nënkupton se ka kandidatë që kanë akuza aktive ose që në të kaluarën janë dënuar për të ndryshme vepra penale.

Sipas raportit të OJQ-ve Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe INPO, nga 16 kandidatë, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.
Numri i aktakuzave ndaj tyre arrin në 20, ndërkaq numri i veprave penale në 21.

Me aktakuzë aktive, Lëvizja Vetëvendosje ka në listë tetë kandidatë, Koalicioni AAK-Nisma shtatë dhe LDK-ja një kandidat për deputetet, u tha në raportin e OJQ-ve.