
Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama.
Pasi që i ka uruar ambasadorit të ri japonez mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, presidentja Osmani ia përcolli gjithashtu urimet e përzemërta me rastin e ditëlindjes së Perandorit Naruhito të Japonisë, e cila sot shënohet nga Ambasada e Japonisë në pritjen e organizuar për nder të kësaj dite.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e vlerësoi Japoninë si një partner strategjik afatgjatë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Ajo theksoi kontributin e çmuar të Japonisë në zhvillimin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë mjedisin, çështjet politike e diplomatike, mediat, pajisjet shëndetësore, sigurinë ushqimore, teknologjinë informative etj.
Presidentja Osmani, theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit në tregti, investime, kulturë, shëndetësi dhe arsim, duke përmendur edhe projektet e bursave arsimore japoneze dhe programeve të shkëmbimit kulturor për të rinjtë e Kosovës.
Ndër të tjera, në këtë takim, presidentja Osmani diskutoi me ambasadorin Iwama për vizitën e saj të planifikuar dhe dakorduar në Japoni në qershor të këtij viti.