Humbi penalltinë ndaj Interit, kërcënohet familja e Henry-t
Hellas Verona zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Interit në “San Siro”, por në fund doli pa pikë pas humbjes 2-1.
Skuadra e drejtuar nga Marco Baroni, kishte një shans të artë për të barazuar në minutën e 100-të, por Thomas Henry gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Sulmuesi francez, i cili realizoi golin e barazimit të përkohshëm (74’), goditi shtyllën. Veprim për të cilin është kërcënuar me jetë nga tifozët e tij.
29-vjeçari nuk është përmbajtur aspak në rrjetet sociale, aty ku thekson se ai dhe familjarët e tij janë kërcënuar me jetë pas humbjes së penalltisë.
“Për të gjithë njerëzit që mendojnë se e njohin futbollin më mirë se kushdo tjetër dhe që fyejnë familjen time duke i uruar vdekjen, shpresoj që një ditë të gjeni paqen në jetën tuaj të vogël. Gabimet janë pjesë e sportit dhe prandaj do të vazhdoj të punoj për të qenë më i mirë se më parë. Një ditë fiton, një ditë humb, një ditë shënon, një ditë gabon. Kjo është jeta ime si futbollist. Jam krenar që kam mundur të shënoj golin tim të dytë në karrierë në ‘San Siro’ pas dëmtimit të ligamentit. Gjithmonë me kokën lart, gjithmonë përpara”, shkruan Henry.