Konsumatorët po kryejnë nga eKESCO 1 milion euro pagesa çdo muaj
Aplikacioni eKESCO, që ofron shërbime për konsumatorët sa i përket furnizimit me energji elektrike po shndërrohet në aplikacion lider në Kosovë.
Edhe vitin e fundit eKESCO ka shënuar rritje të madhe në të gjithë parametrat e saj.
Numri i konsumatorëve që e përdorin këtë aplikacion ka arritur në mbi 298 mijë konsumatorë, një rritje për më tepër se 63 mijë në krahasim me një vit me herët.
Qytetarët e Kosovës tashmë po orientohen komplet drejt botës digjitale, ndërsa KESCO po ua lehtëson atë rrugëtim.
“Në eKESCO konsumatorët nuk po hyjnë vetëm për të marrë informata, por edhe për të kryer shërbime të ndryshme. Një numër në rritje të madhe është ai i konsumatorëve që nuk ia mësyjnë më lokacioneve fizike për të paguar rrymë, por e bëjnë këtë përmes telefonit të tyre. Aty është shënuar edhe rritja më e madhe e përdorimit të eKESCO gjatë 2024. Tashmë, çdo muaj aty konsumatorët kryejnë rreth 1 milion euro pagesa duke arritur në afro 12 milionë euro në total për vitin e fundit, nga 7.25 milionë sa u kryen në vitin 2023, apo 62.7 për qind rritje”, ka njoftuar KESCO, duke shtuar se kjo rritje ka qenë gjithpërfshirëse pasi ka ardhur nga rritja e numrit të transaksioneve që në vitin e fundit ka arritur në gati 200 mijë nga 123 mijë sa ishte një vit më herët.
“Kjo rritje e gjithëanshme e eKESCO është tregues i përqafimit të teknologjive moderne nga KESCO me misionin që konsumatorët të marrin shërbime sa më te shpejta, më kualitative dhe më të sigurta. Kompania do të vazhdojë të jetë në hap me kohën me secilin zhvillim teknologjik, si një nga parakushtet e zhvillimit të sektorit energjetik në veçanti dhe ekonomisë në përgjithësi”, thuhet tutje në njoftimin e KESCO-s.
Aplikacionin mund ta shkarkoni në IOS dhe Android.