Pasojat shoqërore të politikës së politikanit të korruptuar
Shkruan: Valon Murtezaj
Një gjë duhet kuptuar tanimë, korrupsioni shkatërron besimin që qytetarët kanë te udhëheqësit politikë dhe institucionet shtetërore. Kur njerëzit e shohin se vendimet merren për përfitime personale, dhe jo për të mirën e përbashkët publike, ata humbin besimin në sistem. Ky erozion i besimit shpesh çon në zhgënjim nga demokracia.
Kur politiikanët e korruptuar kanë motiv pasurimin personal, dhe jo qeverisjen efektive në të mirë të qytetarit, atëherë politikat dështojnë të adresojnë nevojat reale jetësore të qytetarëve.
Kur fondet publike keqpërdoren shkaktohen situata me investime të reduktuara në sektorët vital. Për më tej, korrupsioni dekurajon investitorët vendas dhe të huaj.
Duhet ta kemi të qartë një gjë kryesore: nga korrupsioni përfiton vetëm një elitë e korruptuar – politikanë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore dhe oligarkë të korruptuar që sponzorojnë politikanët e korruptuar e të cilët kur vijnë në pushtet duhet kthyer borxhin: prapë me korrupsion.
Ndërsa shumica e qytetarëve vazhdojnë të përballen me vështirësi jetësore, varfëri dhe pamundësi për jetë të dinjitetshme.
Korrupsioni gërryen integritetin e institucioneve kyçe, të cilat bëhen abuzues me pushtetin. Pa institucione të forta dhe të pavarura, mungon llogaridhënia, duke lejuar që korrupsioni të lulëzojë pa u ndëshkuar, ku përfiton në radhë të parë politikani i korruptuar.
Për pasojë, një sistem politik me politikanë të korruptuar, dhe me mentalitet të korruptuar politik, dëmton deri në shkatërrim proceset demokratike dhe parimet e demokracisë.
Për Kosovën poashtu një aspekt me rëndësi shumë të madhe është të kuptohet që korrupsioni dëmton reputacionin në arenën globale, ndërsa Kosova ka shumë nevojë për emër të mirë në sistemin ndërkombëtar.
Prandaj, është përgjegjësi e detyrë madhore e qytetarit sot të mos votojë të korruptuarit dhe politikanë që udhëhiqen nga mentaliteti korruptiv e profiteresk.