Aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30 vjeçes Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve. Fillimisht rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes” por, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona.

Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk u theksua gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë hollësi rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Për të arritur deri te kjo informatë, prokurorja bëri me dije se ka pasur bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse në Suedi, ku Naim Murseli dhe Liridona Ademaj jetonin.