Enver Hoxhaj me plan konkret për rikthimin e njohjeve ndërkombëtare: Është prioritet i lartë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka shpalosur planin konkret të partisë së tij për rikthimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Në një video të publikuar, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë jetike të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, duke kujtuar suksesin e tij si ministër, kur Kosova siguroi 117 njohje.
Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale të Albin Kurtit, duke vënë në pah se gjatë katër viteve të fundit nuk është arritur asnjë njohje e re.
“Jam shumë krenar që gjatë dy mandateve të mia si ministër i Punëve të Jashtme, Kosova është njohur nga një numër i madh i vendeve në gjeografi globale. Unë e kam marrë Ministrinë e Punëve të Jashtme me 75 njohje dhe e kam lënë me 117. Gjatë katër viteve të qeverisjes së Albin Kurtit nuk ka asnjë njohje të vetme”, tha Hoxhaj.
Ai deklaroi se PDK-ja ka hartuar një plan të hollësishëm, i cili përfshin identifikimin e vendeve potenciale në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine që mund ta njohin Kosovën. “Nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës ne kemi një plan të qartë, një mendim të plotë dhe një analizë të hollësishme se cilat vende në Afrikë, Azi, në Amerikë Latine janë në gjendje ta njohin Kosovën. Nga java e parë, nga muaji i parë dhe nga viti i parë ne do të sjellim njohje konkrete për Republikën e Kosovës”, shtoi ai.
Hoxhaj paralajmëroi për një video të veçantë në të cilën do të flasë për planin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.