Mjeku Sahatçiu: Fluks i shtuar për vaksinimin kundër gripit
Mjeku Dukagjin Sahatçiu nga Peja ka raportuar për një interesim të shtuar për vaksinimin kundër gripit sezonal, veçanërisht pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në ditët e fundit.
Sipas tij, një numër i madh qytetarësh janë vaksinuar që nga tetori, por fluksi ka vazhduar të rritet për shkak të shtimit të rasteve me viroza dhe simptoma gripale, njofton Klankosova.tv.
“Deri tani, në Pejë janë administruar 3 mijë e 500 doza të vaksinës. Nga këto, rreth 2 mijë e 600 janë për persona mbi moshën 65 vjeç, 750 për pacientë me sëmundje kronike, si dhe 160 për profesionistë shëndetësorë, gra shtatzëna dhe fëmijë të vegjël”, tha mjeku Sahatçiu, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ai theksoi se, edhe pse vaksina nuk është e detyrueshme, ajo mbetet një masë e rëndësishme parandaluese për të shmangur komplikimet nga gripi.
“Ne jemi të gatshëm të presim të gjithë ata që dëshirojnë të vaksinohen, edhe nëse aktualisht nuk kanë grip, sepse është më mire të parandalohet, pasi që kemi edhe doza të mjaftueshme”, shtoi ai.