KFOR: Morëm garancë me shkrim se FSK-ja nuk do të dërgohet në veri

KFOR: Morëm garancë me shkrim se FSK-ja nuk do të dërgohet në veri

Në media, ditën e djeshme u raportua për një “zotim” të ri të Qeverisë së Kosovës ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në lidhje me dërgimin e ushtarëve të FSK-së në pjesën veriore.

Për këtë çështje, zyrtarë të KFOR-it kanë thënë për Klankosova.tv se marrëveshja e vitit 2013 mes NATO-s dhe Kosovës është ende në fuqi, që do të thotë se çdo zbarkim i pjesëtarëve të FSK-së në veri duhet të bëhet me autorizim nga komandanti i KFOR-it.

Po ashtu, ata e kanë vlerësuar respektimin e vazhdueshëm të kësaj marrëveshjeje nga institucionet e Kosovës.

“Mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës për këtë përkushtim dhe garancën e fundit me shkrim, që pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të institucioneve në Kosovë, përfshirë z.Maqedonci”.

“Komunikimi transparent dhe koordinimi në kohë janë çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, thanë zyrtarët e KFOR-it për Klankosova.tv.

Ndërkaq, në lidhje me detajet specifike të zotimit qeveritar ndaj KFOR-it, këta zyrtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë thanë se nuk kanë të drejtë të zbulojnë informata nga komunikimet zyrtare me bashkëbiseduesit institucionalë. /Klankosova.tv