Në vitin 2024 me urgjencë duhet të adresohen 5 tema!

Në vitin 2024 me urgjencë duhet të adresohen 5 tema!

Nga Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së

Viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent. Në të kundërtën, kjo qeveri po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave. Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim.
Gatishmëri e vullnet duhet të kemi në këto çështje nisur nga:

• Arsimi

Situata e rënduar në arsim që u reflektua me rezultatin e testit PISA, i cili ishte më i ulëti që Republika e Kosovës ndonjëherë e ka marrë, duhet të trajtohet me prioritet të lartë. Si grup parlamentar do të adresojmë tri çështje:

1. Të ndalet synimi për të ngulfatur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit;
2. Përmirësimi i kushteve infrastrukturore të arsimit të lartë dhe,
3. Rritja e mbështetjes për hulumtime shkencore për Universitetet publike.

• Rritja e Pagave në Administratën e Shtetit

Për tri vite rresht, kjo Qeveri katër herë e ka pasur Ligjin e Pagave në agjendën legjislative. Edhe atëherë kur e kanë miratuar këtë ligj, një numër të caktuar të kategorive ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritur 10-20 euro. Grupi parlamentar i AAK-së do të iniciojë rritjen e pagave përmes koeficientit në Ligjin e Pagave dhe ngritjen vlerës së koeficienitit përmes Ligjit për Buxhet.

• Ulja e çmimit të energjisë elektrike

Të gjitha çmimet kanë shënuar rritje, përveç pagave. E, rritje e papërballueshme e çmimit për qytetarët u shtua edhe ajo e rrymës. Grupi Parlamentar i AAK-së do të nis iniciativë në Kuvendin e Kosovës për uljen e çmimit të energjisë elektrike.
• Rritja e pagës minimale në 450 euro
Ligji për Pagën Minimale për momentin është në Gjykatën Kushtetuese. Si grup parlamentar presim që kërkesa jonë të miratohet dhe menjëherë të nis amandamentimi i ligjit të ri.

• Mbështetja për sektorin privat

Për dy vite mbi një miliard euro të cilat kanë qenë të dedikuara të investohen në projekte kapitale, nuk janë shpenzuar në Kosovë. Si rezultat, kemi shkolla më pak, çerdhe më pak, rrugë më pak, investime më pak dhe punësim më pak. Si grup parlamentar do të insistojmë në interpelanca të rregullta pse s’po ndodhin shpenzimet. Nëse vazhdon bllokimi i investimeve kapitale, po kontribuojmë në ikjen e qytetarëve nga vendi. Tashmë, rruga u është hapur!