Pas një periudhe të shkurtër kur dukej se po shkonin drejt dështimit, bisedimet për zbatimin e marrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë rinisur. Delegacione të larta amerikane dhe iraniane po mblidhen në Zvicër në atë që mund të rezultojë një fazë vendimtare në shndërrimin e një memorandumi të brishtë të mirëkuptimit në një zgjidhje më të gjerë politike.
Përpjekja e ripërtërirë diplomatike erdhi pas ndërhyrjes urgjente të zyrtarëve nga Zvicra dhe Katari, pasi pasiguria rreth pjesëmarrjes së Iranit kishte shkaktuar përkohësisht ndërprerje të takimeve, raporton Rel.
Këshilltari federal zviceran, Ignazio Cassis, zhvilloi konsultime me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, në Burgenstok, teksa Radio Evropa e Lirë mësoi se ndërmjetësues pakistanezë dhe ndihmës të lartë nga Uashingtoni dhe Teherani u përfshinë gjithashtu në përpjekjet për ta shpëtuar procesin.
Më 20 qershor, ekspertët teknikë kishin rifilluar takimet përgatitore në resortin zviceran, ndërsa Zvicra konfirmoi publikisht se bisedimet ishin aktive.
“Zvicra vazhdon të ofrojë një mjedis diskret dhe të besueshëm për të lehtësuar bisedimet në Burgenstok mbi zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit”, tha Qeveria zvicerane, duke refuzuar të japë hollësi të tjera.
Më vonë, si Uashingtoni ashtu edhe Teherani konfirmuan se negociatorët e tyre do të udhëtonin drejt Zvicrës.

