Shqipëri: Çmimi i energjisë ulet me 1 lek për konsumin deri 700 kwh në muaj
Në Shqipëri, Enti Rregullator i Energjisë miratoi sot uljen me 1 lek, të çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë që konsumojnë deri në 700 kilovat/orë në muaj.
Kryeministri Edi Rama foli për një arritje të rëndësishme, e mundësuar, siç tha, nga rezultatet e reformave të ndërmarra në këtë sektor.
Nga ulja e çmimit, e cila nis më 1 shkurt, pritet të përfitojnë, sipas ministres së Energjisë Belinda Balluku, 1 milionë e 70 mijë abonentë, të cilët do të mund të kursejnë rreth 100 euro në vit.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE), u vu në lëvizje pas një kërkese të bërë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e Operatorit të sistemit të shpërndarjes. Pasi prej një kohe të gjatë, çmimi i energjisë elektrike, ishte mbajtur në nivelin e 9.5 lekëve për kilovat/orë, duke nisur nga muaji i ardhshëm, ky çmim do të ulet me 1 lek, ose me 10.5 për qind, për të gjithë ata abonentë familjarë që konsumojnë deri 700 kilovat/orë në muaj, raporton VOA.
Sipas të dhënave të ofruara sot nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga kjo masë pritet të përfitojnë 1 milionë e 70 mijë abonentë, ose gati 95 për qind e konsumatorëve familjarë. Kush do të kalojë nivelin e 700 kilovat/orëve në muaj, do të vijojë të paguajë për të gjithë energjinë e konsumuar, çmimin prej 9.5 lekësh.
Ministrja Balluku deklaroi se ulja e çmimit “korrespondon me 3.1miliardë lekë në vit që nga OSHE-ja, shkon në lehtësim për familjet shqiptare, ndërkohë që kursimi maksimal është për 1 abonent, rreth apo mbi 100 euro në vit”.
Ajo shpjegoi se vendimi erdhi si pasojë e ecurisë së mirë të aktivitetit të ndërmarrjeve të sektorit energjitik “duke pasur dy elementë të rëndësishëm, normën e arkëtimit gjithmonë në rritje dhe humbjet teknike, gjithmonë në ulje, ne kemi arritur të konsolidojmë performancën e OSHEE, duke i dhënë mundësi dhe hapësirë fiskale për uljen e çmimit”
Ndërsa humbjet teknike kanë zbritur në nivelin e 17.9 për qind, arkëtimet janë në nivelin maksimal.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi vendimin për uljen e çmimit një arritje historike, rezultat siç tha ai i reformave të thella që kanë prekur sektorin.