Limaj: Koalicioni AAK-Nisma përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë

Limaj: Koalicioni AAK-Nisma përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë

Koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët përmes një njoftimi për medie ka njoftuar se mbetet i angazhuar vazhdimisht në aktivitete të ndryshme, duke zhvilluar biseda dhe bashkëpunim me të gjitha segmentet e shoqërisë – sindikatat, shoqatat, diasporën dhe çdo sektor tjetër.

“Kosova ka vetëm një koalicion të madh, një koalicion që përfaqëson koordinim të jashtëzakonshëm dhe përfshirje të të gjitha shtresave të shoqërisë. Nga siguria energjetike dhe anëtarësimi në NATO deri te mbrojtja e vlerave familjare, këto janë themelet që i garantojnë qytetarët tanë një të ardhme më të sigurt”, ka thënë lideri i Nismës, Fatmir Limaj.

Ai ka thënë se dëshmitë për veprat që kanë realizuar janë prova të qarta të angazhimit dhe përkushtimit tonë për vendin.

“Ky muaj është një mundësi për të gjithë qytetarët që të vlerësojnë përpjekjet tona dhe të mos lejojnë që shpifjet, mashtrimet dhe gjuha e urrejtjes të ndikojnë në kursin e Kosovës. Koha është për të vlerësuar subjektet politike që kanë veç vepra konkrete, jo fjalë të thëna pa argumente. Ne angazhohemi për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke ballafaquar me fakte dhe argumente të forta, dhe duke ftuar të gjitha grupet politike për të respektuar rregullat dhe ligjet. Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha strukturat, aktivistët dhe qytetarët e Kosovës, për punën dhe angazhimin e tyre të pandalur, që po bëjnë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e fitores. Veç vepra do të përcaktojë të ardhmen tonë”, ka thënë Limaj.