Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e testit të maturës, duke vlerësuar se procesi po dështon tash e gjashtë vjet me radhë për shkak të publikimit të testit sapo fillon provimi.
Sipas saj, testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin, duke krijuar padrejtësi ndaj nxënësve që kanë punuar dhe mësuar me vite.
Bajrami thekson se problemi nuk lidhet vetëm me organizimin e testit, por edhe me drejtësinë në arsim dhe procesin e regjistrimit në fakultete.
Ajo vlerëson se testi i maturës e ka humbur besueshmërinë dhe duhet të zëvendësohet me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.
Postimi i plotë i saj:
Të anulohet testi i maturës
Nëse nuk ki mundësi me organizu si duhet, anuloje.
Që gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit sapo fillon provimi. Pra, testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin.
Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë. Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punu me vite.
Ky nuk është më veç problem i organizimit të një testi, është problem i drejtësisë në arsim, është edhe pjesë e procesit të regjistrimit në fakultet.
Kur kopjimi bëhet rruga ma e lehtë drejt suksesit, atëherë nxënësit e ndershëm ndëshkohen.
Prandaj, është koha me e pranu realitetin: testi i maturës e ka humbë besueshmërinë dhe duhet me u zëvendësu me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesem.
Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim.
Minister, del merr përgjegjësi!

