Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, mori pjesë në Samitin e Investimeve në Transport, ku ishte panelist së bashku me ministrat homologë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë diskutimit, ministri Basha theksoi rëndësinë e mbështetjes së projekteve infrastrukturore të Kosovës, me fokus të veçantë në projektet hekurudhore, të cilat përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, kanë edhe rëndësi strategjike për rajonin dhe vetë Evropën.
Ai kërkoi që këto projekte të mbështeten nga partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se investimet në infrastrukturë kontribuojnë në forcimin e lidhjeve tregtare, rritjen e mobilitetit dhe avancimin e integrimit ekonomik evropian.
Në panel morën pjesë ministrat e transportit dhe infrastrukturës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, Ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit, Christos Dimas, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI).
Ministri Basha theksoi se Kosova ka projekte me rëndësi të veçantë për zhvillimin e rajonit dhe integrimin evropian, vizion të qartë për zhvillimin e infrastrukturës dhe partnerë të besueshëm për realizimin e tyre.
Ai nënvizoi se mbështetja e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve zhvillimorë mbetet kyçe për avancimin e projekteve strategjike që forcojnë lidhshmërinë rajonale dhe integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të transportit.

