Bashkohen kampionët, Devolli Corporation sponsor i ekipit kampion KB Peja
Me festë e mbyllën kampionatin e Princ Caffe Superligës së Kosovës në basketboll, kur Peja u shpall kampione për herë të shtatë në histori të klubit.
E shqiponjat tani do t’i kenë krahët edhe më të fuqishëm.
“Verdhezinjët” kanë arritur marrëveshje sponsporizimi me Devolli Corporation.
“Privilegj, por mbi të gjitha përgjegjësi, të bashkohen dy ekipe të forta, një korporata që njihet për suksese dhe një klub që njihet për traditë dhe gjithë këto kupa. Një barrë është hequr, barra që mbetet është të tregohen rezultate në fushë të cilat jemi të bindur që do të arrihen me këtë bashkëpunim”, ka thënë Adriatik Kelmendi, anëtar i bordit të korporatës, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Kelmendi shprehet i bindur se sukseset e klubit të Pejës do të jetë edhe më të mëdha nga tani e tutje.
Marrëveshja e nënshkruar me Korporatën Devolli, është krenari, por edhe përgjegjësi për klubin e Pejës, sipas kryetarit Fatmir Gashi.
Klubi i Pejës llogaritet si një nga favoritët për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë.
Peja aktualisht qëndron në pozitën e dytë në renditjen tabelore, me dy pikë më pak se Trepça.