KF Llapi ka prezantuar përforcimin më të ri për sezonin e ardhshëm, mesfushorin defensiv holandez Joep Kluskens.
Kluskens, 23 vjeç, ka nënshkruar kontratë me klubin podujevas deri në verën e vitit 2029 dhe nga sot është zyrtarisht pjesë e skuadrës bardhekaltër.
Futbollisti holandez vjen nga një shkollë e njohur e futbollit evropian, pasi gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e akademive të njohura të Fortuna Sittard dhe PSV Eindhoven. Përvojën më të madhe profesionale e ka fituar te VVV-Venlo, klub nga i cili transferohet te Llapi.
Me fanellën e VVV-Venlo, Kluskens ka zhvilluar 71 ndeshje zyrtare, duke u dalluar si një nga lojtarët kyç në repartin e mesfushës.
Në njoftimin e klubit thuhet se lojtari shquhet për disiplinën taktike, inteligjencën në lojë, qetësinë me topin dhe aftësinë për të kontrolluar ritmin e ndeshjes, cilësi që pritet t’i japin më shumë stabilitet mesfushës së Llapit.
Transferimi i Kluskens konsiderohet pjesë e strategjisë së klubit për forcimin e ekipit dhe ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonet e ardhshme.
KF Llapi i ka uruar mirëseardhje futbollistit holandez dhe suksese me fanellën bardhekaltër.

