Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt

Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.

Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.

“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai. / KosovaPress