Lansohet ankandi i parë për energji nga era me kapacitet 100 MW
Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe partnerët e projektit kanë bërë të mërkurën lansimin e Ankandit të Parë të Erës 100 MW.
Sipas tyre, lansimi i Ankandit është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Kryeministri Kurti deklaroi se fati është që Kosova ka potencial të madh natyror për energji të ripërtëritshme.
“Deri në vitin 2031 jemi zotuar të arrijmë kapacitetet prej 1600 MW nga burimet e ripërtëritshme të energjisë – të pastra e me procedura konkurruese që përkthehen në çmime më të mirë për qytetarët tanë. Ankandi diellor është zbatuar mbi këtë zotim dhe ka dëshmuar përparësitë e mëdha të skemave të këtilla: me konkurrencë të shëndetshme, çmimi për blerjen e energjisë është ulur për 35% krahasuar me çmimin tavan, e tërë ky përfitim i shkon direkt si qytetarëve ashtu edhe bizneseve tona”, ka theksuar Kurti.
Diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtëritshme, sipas kryeministrit është edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës.
Ministrja Rizvanolli ndërkaq tha se ky projekt është i rëndësishëm për prodhimin e energjisë nga era për shkak të nevojave që ka tregu për energji.
“Është tejet e rëndësishme që kërkesa jonë për energji e veçanërisht në orët e mbrëmjes dhe veçanërisht gjatë muajve të ftohtë përkon shumë mirë me profilin e prodhimit të energjisë nga era, andaj ky lloj projekti është i rëndësishëm për gjenerimin dhe për ekonominë tonë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për energji të erës teksa tregoi më shumë për shpejtësinë që arrijnë ato në zona të ulëta e malore.
“Kosova, jemi me fat që është një vend që ka potencial të jashtëzakonshëm për energji të erës. Rreth 17% e territorit të Republikës së Kosovës ka erëra të qëndrueshme me shpejtësi mbi 6 m/s, kurse në zona malore kjo arrin deri në 8 m/s, duke krijuar kështu kushte optimale për ndërtimin e kapaciteteve të erës mbi mesataren e shumë vendeve evropiane”, tha ndër të tjera ministrja.
Pas lansimit të fazës së para kualifikimit për ankandin e Parë të Erës, do të pasojë faza e ofertave financiare.
Ministrja Rizvanolli gjatë fjalimit gjithashtu tha se, në garë do të marrin pjesë kompani të kualifikuara e të motivuara për investime.
“Këtë garë zotohemi ta udhëheqim në mënyrë të drejtë e transparente siç kemi bërë edhe në Ankandin e parë në mënyrë që të sigurohemi se cilado që të jetë kompania ose konzorciumi që përzgjidhet përfundimisht për ndërtimin e Parkut të Erës, fituesi më i madh përfundimisht të jetë qytetari i Republikës së Kosovës, me çmim të përballueshme, energji të pastës dhe energji të sigurt”, ka deklaruar ajo.
Hapjen e këtij ankandi e mirëpriti zëvendësambasori gjerman në Kosovës, Mathias Conard duke thënë se qëndrojnë përkrahë Kosovës në realizimin e këtij projekti.
Ndërsa, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devit, ka pohuar se ky ankand është një shembull i mirë që po tregon Kosova po merr veprime të drejtpërdrejta për sigurimin e energjisë nga burimet e ripërtritshme.
E drejtori Regjional për Ballkanin Perëndimor nga IFC, Nicolas Marquier, u shpreh se hapja e këtij ankandi përfaqëson jo vetëm përparimin në sektorin e energjisë por edhe një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të qëndrueshme të gjelbër për Kosovën dhe Evropën.
Për realizmin e këtij projekti, ministrja Rizvanolli ka falënderuar për bashkëpunimin, Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) të përkrahur nga Qeveria gjermane si dhe shprehu mirënjohje të veçantë për Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID Kosovo) dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme për sektorin e energjisë dhe Kosovën.