UNESCO kërkon mbrojtje urgjente për Ohrin
UNESCO, për të tretën herë, paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm. Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Misioni reaktiv i UNESCO-s në raportin e fundit për rajonin e Ohrit përsëri theksoi nevojën urgjente që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit, raporton Rel.
Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që thotë se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.
Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.