ZKA-ja mbajti konferencën “Ndikimi i auditimit në përmirësimin e qeverisjes lokale dhe transparencës”
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të enjten organizoi konferencën “Ndikimi i auditimit në përmirësimin e qeverisjes lokale dhe transparencës” e cila pati për qëllim bashkëbisedimin me kryetarët e komunave për gjetjet dhe rekomandimet e auditimit me synim të përmirësimit të qeverisjes dhe transparencës në nivelin lokal.
Në konferencë morën pjesë 10 kryetarë dhe përfaqësues të tjerë komunal, përfaqësues nga USAID-i, DEMOS-i dhe OSBE-ja, të cilët dhanë kontribut të çmuar në kuadër të diskutimeve.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi progresin e shënuar sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditimit në komuna, megjithatë tha se ende nuk është në nivelin e dëshiruar, prandaj inkurajoj kryetarët e komunave për një angazhim më të madh.
“Ju jeni vendimmarrësit kryesorë që mund të ndikoni drejtpërdrejt në zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe përmirësimin e qeverisjes lokale. Përmes bashkëpunimit me ju synojmë të sigurojmë që komunat të bëhen shembuj të praktikave të mira në menaxhimin financiar dhe të transparencës”, tha znj. Spanca.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e çështjeve kryesore që kanë ndikim në përmirësimin e qeverisjes dhe transparencës në komuna. Ai tha se administrimi i përgjithshëm i sistemeve dhe proceseve në komuna ndër vite është përmirësuar dukshëm, megjithatë, nevoja për të rritur cilësinë në përgjithësi në menaxhimin financiar dhe kontrollet është e dukshme.
Kryetarët e komunave shprehën shqetësimet e tyre të cilat kryesisht kanë të bëjnë me pasojat e zbatimit të kontratave kolektive, barrën financiare të të cilave aktualisht e bartin komunat, e cila ka ndikim opinionin e auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve, etj.
Ata theksuan se zbatimi i rekomandimeve kërkon kohë dhe angazhim më të madh në mënyrë që të ketë zgjidhje të qëndrueshme. Kryetarët e komunave dhe drejtuesit e ZKA-së u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim të gjetjes së mënyrave më të mira për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të financave në nivelin lokal.
Mbajtjen e punëtorisë me nga një fjalë rasti e përshëndetën, Kryetarët e Komunave, Drejtoresha e Departamentit për Demokratizim në OSBE-së, Pascale Roussy dhe Zëvendës Drejtori i Projektit të USAID – Integriteti i Komunave të Kosovës (KMI), Vehbi Selmani.