Tre shtete, 48 përfaqësuese, çfarë duhet të dini për Botërorin në 2026
Në histori për herë të parë, Botërori do të luhet me 48 skuadra. Ai do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Shtetet e Bashkuara do të kenë 11 stadiume pritëse, ndërsa Meksika 3 dhe Kanadaja 2.
Ky nuk është Botërori i parë që ndahet në disa vende pritëse, pasi më herët në 2002, u organizua në Korenë e Jugut dhe Japoni. Do të jetë hera e parë për Kanadanë, ndërsa e dyta për SHBA dhe e treta për Meksikën. Gjithsej do të jenë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju Jork, në stadiumin e Nju Xhersit.
Turneu do të fillojë më 11 qershor 2026 dhe do të mbyllet më 19 korrik 2026. Turneu do të jetë i pari në histori me 48 ekipe. Për këtë arsye, formati me 32 ekipe, me tetë grupe, është zëvendësuar nga një me 12 grupe me katër. Dy skuadrat e para në secilin grup, plus tetë skuadrat më të mira të vendit të tretë, do të kalojnë në raundin e 32-të. Miratimi i 12 grupeve me nga katër u zgjodh mbi opsionin e 16 grupeve me tre ekipe, bazuar në një rishikim të plotë që mori në konsideratë një sërë faktorësh, duke përfshirë përvojën e ekipit dhe tifozëve, mirëqenien e lojtarëve dhe integritetin sportiv, BallkanWeb.
Formati i ri do të thotë se skuadra që triumfon në finalen e 19 korrikut do të ketë luajtur tetë ndeshje për t’u kurorëzuar kampione, një më shumë se në Katar 2022, pas përfshirjes së një raundi shtesë të fazës eliminatore të 32-të. Kampionët në fuqi janë argjentinasit, falë fitores së tyre emocionuese ndaj Francës, në finalen e Katarit 2022. Vendet pritëse, Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara kualifikohen automatikisht për Kupën e Botës.
45 vendet e tjera do të përcaktohen nga garat kualifikuese nga çdo konfederatë kontinentale. Nga UEFA që përfshin Europën janë 16 kombëtare. Nga CAF që është Afrika do të jenë 9 kombëtare. Azia 8 dhe Amerika e Veriut dhe Latinë nga 6 kombëtare, si edhe një nga Oqeania. Një ekip nga secila prej gjashtë konfederatave me përjashtim të UEFA-s, plus një ekip shtesë nga konfederata e vendeve pritëse, do të marrin pjesë në turneun “play off”.