IPK-ja me tetë rekomandime për përdorim të kamerave trupore nga policia

IPK-ja me tetë rekomandime për përdorim të kamerave trupore nga policia

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë tetë rekomandime ndaj Policisë së Kosovës, pas inspektimit të përdorimit të kamerave të trupit.

“IPK në kuadër të raportit i ka dhënë Policisë së Kosovës tetë rekomandime që kanë të bëjnë me nevojën e angazhimit të komisioneve për realizimin e inventarizimeve periodike tre mujore sipas Marrëveshjes së Donacionit, organizimin e trajnimeve në përdorimin e kamerave dhe administrimin e provave për zyrtarët policor të pa trajnuar, organizimin e inspektimeve të kohëpaskohshme mbi funksionimin e sistemit dhe përdorimin e kamerave të trupit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas njoftimit, inspektimi ka përfshirë vlerësimin e respektimit të legjislacionit për përdorimin e sistemit të kamerave të trupit, e administrimit të pronës së pranuar si donacion, e efektivitetit në funksionimin e kamerave të trupit, e efektit të sistemit në ngritjen e sigurisë/transparencës/llogaridhënies dhe performancës, si dhe vlerësimin e masave të sigurisë lidhur me administrimin e provave digjitale.

“Inspektimi ka vënë në pah dhe ka adresuar përmes rekomandimit edhe përdorimin urgjent të kamerave të trupit nga strukturat e Departamentit të Kufirit, zgjerimin e sistemit të kamerave të trupit edhe në njësi tjera policore, klasifikimin e materialeve të regjistruara për qëllime të ruajtjes dhe administrimit të duhur të tyre”, theksohet në njoftimin për medie.
Kamerat e trupit të cilat tanimë i ka në dispozicion Policia e Kosovës janë donacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes Byrosë për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit.